Përgjimet/ Korrupsioni në Prokurorinë e Tiranës, avokatja Donada Lepenica dhe i akuzuari mbeten në burg

23 Shtator 2018, 14:12

Tiranë- Pas zbulimit të një rasti korrupsioni në Prokurorinë e Tiranës, ku për ndryshimin e akuzës së dy të pandehurve kërkohej 2 mijë euro është dhënë sot masa "arrest me burg" për avokaten Donada Lepenica.

Po ashtu është dhënë masa "arrest me burg" për shtetasin Yzeir Bala, 32 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa për bashkëshortjen e tij Megi Naksi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë është dhënë masa 'arrest shtëpie'. Këta të dy janë personat që do përfitonin nga ndryshimi i masës së sigurisë, pasi ishin të akuzuar për një çështje. Siç raporton gazetari Driçim Caka këta persona i kanë dhënë 2 mijë euro avokates Lepenica me qëllim që të ndërhynte tek prokurori i çështjes Përparim Hasa.

Në sallën e gjyqit, burrë e grua nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me çështjen. Ata janë shprehur se do flasin në një moment të dytë për të gjitha akuzat e ngritua ndaj tyre.

Rasti i korrupsionit u zbulua tre ditë më parë, përmes kamerave të sigurisë së institucionit dhe përgjimeve telefonike të avokates e cila rezulton t'ju ketë marrë 2 mijë euro të akuzuarve.

Ende nuk është vërtetuar nëse avokatja ia ka dhënë këtë shumë parash prokurorit të çështjes Përparim Hasa. 

Prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës. Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur avokatja futet në zyrën e prokurorit. Ndërsa nga përgjimet telefonike zbulohet se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron se, "gjithçka e kam zgjidhur me prokurorin". Biseda me të akuzuarin është bërë pak çaste pas takimit të saj me prokurorin e Tiranës, Përparim Hasa, në zyrën e këtij të fundit.

Report Tv ka mësuar se prokurori ka mohuar akuzat ndaj tij, por burime nga Krimet e Rënda pohojnë se biseda telefonike e përgjuar e avokates me të pandehurin është bërë në të njëjtën ditë kur ajo ka takuar Hasën në zyrën e tij në Prokurorinë e Tiranës. Dhe prandaj ka dyshime të arsyeshme për mitmarrje të prokurorit në bashkëpunim me avokaten dhe dy sekserët e arrestuar gjithashtu Yzeir Bala, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Megi Naksi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë.