Përmbyset furgoni në Elbasan, fati shpëton 25 pasagjerët

9 Prill 2018, 17:22

Një furgon me 25 pasagjerë është përmbysur në aksin Elbasan-Qerret në fshatin Sericë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 minuta, ndërsa fatmirësisht asnjë person nuk ka pësuar lëndime. Furgoni me pasagjerë ishte duke u kthyer nga Elbasani në drejtim të fshatit Sericë në momentin që është aksidentuar.

Sipas burimeve për Report Tv, pasi ka xhiruar njëra gomë, mjeti ka filluar të ikë mbrapsht. Drejtuesi ka tentuar ka kthyejë në skarpat për të shmangur greminën dhe mjeti është batuar. Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes, ku furgoni është përmbysur, ndërsa ka qenë vetëm pak centimetra larg tragjedisë, pasi terreni është i thepisur dhe mjaft i vështirë.

Pas njoftimit, ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes, por sipas policisë fatmirësisht aksidenti ishte pa pasoja për jetën e pasagjerëve. Mjeti me targa AA 146 TK, i prodhuar në 1995 drejtohej nga 48 vjeçari Ardjan Kasneci. Nga kontrolli rezultoi se shoferi nuk kishte konsumuar alkool. Nga një aksident sot në Fier humbën jetën tre persona, dy kushërinj të parë dhe e fejuara e njërit prej tyre, teksa po ktheheshin nga një dasëm.