Piktori Ilir Pojani pas 23 vitesh me ekspozitë në Tiranë, frymëzim kryeveprat e klasicizmit

15 Shtator 2018, 23:27

Në fillim të viteve ’90 në vendin tonë, kur ethet e lëvizjeve demokratike sapo kishin nisur, ai renditej ndër ata pedagogë, që kishte kapërcyer trarin mendor të izolimit. Sot pas më shumë se dy dekadash, artisti Ilir Pojani, rikthehet në tokën amë me një ekspozitë personale në Tiranë.  

Veprat e viteve të fundit, por edhe tre prej asaj periudhe, vijnë nën titullin e ekspozitës “O kapiten, kapiteni im”.  Ata që kishin ndalur për ta takuar edhe uruar për këtë rikthim mes tyre, janë artistët-miq, që nuk e kanë harruar rrugëtimin e tij, në vitet e para, si ilustrator dhe karikaturist në shumë revista të kohës.

Unë e njoh shumë vite më parë, sigurisht që e njoh në një kuadër të një procesi krijues që disi ndryshon jo pak nga kjo që sjell së fundmi. Por që e konsideroj një fenomen normal, një rrugë të kësaj natyre që gjen veten në një pozicion disi të ndryshëm, por që nuk është përfundimtar, por kalimtar dhe mund të vij me një situatë tjetër. Në këtë situatë që vjen më duket interesante se si gjen një arsye, një qëndrim të tij ndaj veprave të autorëve të njohur dhe ndaj kryeveprave të artit, që ai i ka admiruar edhe i admiron.