Pjesa e 3/Ekskluzive për Report TV - Zylfije Haklaj: Nëse Saliu bëhet burrë le të më dalë përballë

20 Korrik 2018, 12:58

Pas intervistës që motra e 4 vëllezërve Haklaj, Zylfije Haklaj dha për gazetën “Shqiptarja.com” dhe jehonës mediatike që ky rrëfim shkaktoi, Zylfije ka kontaktuar me gazetën për të sqaruar akuzat në drejtim të saj.

Në pjesën e parë të intervistës, Zylfije Haklaj tregoi nisjen e konfliktit me Berishën dhe hasmërinë me fisin Hoxha. Si një dëshmitare e rëndësishme e ngjarjeve që përgjakën Tropojën, Zylfije Haklaj tregoi versionin e të vëllait, Fatmir Haklaj për vrasjen e Azem Hajdarit. Zylfija foli edhe për rolin e Izet dhe Ismet Haxhisë në vrasjen e Azemit, por edhe për marrëdhëniet që Haklajt kishin me Hajdarin pas vrasjes së Shkëlqim Haklajt.

Sot, Zylfija flet për herë të parë për akuzat ndaj saj, për ngjarjen e vitit 2002, ku ajo mori pseudonimin “Shota e Haklajve”. Zylfije Haklaj, është dënuar nga drejtësia shqiptare për një vrasje në mes të Bajram Currit në 2 prill të vitit 2002. Ajo akuzohet si ekzekutorja e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit.

Në këtë prononcim, Zylfije Haklaj thotë se është ish-presidenti dhe kryeministri Sali Berisha, personi që fshihet pas këtyre akuzave.

Zylfie Haklaj i bën thirrje Sali Berishës që të vërtetojë akuzat ndaj saj e familjes Haklaj para gjykatës. “I bëj thirrje që ai të bëhet burrë për hir të Kombit dhe të paraqitet përpara drejtësisë dhe në qoftë se ai e ndërmerr këtë le ta hedhë këtë hap për hir te Kombit. Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe unë pavarësisht se çfarë ai ka thënë për familjen time dhe për mua personalisht janë shpifje dhe trillime nga fillimi deri në fund”, deklaron Zylfie Haklaj.