Pranoi se imitoi zërin e Agron Xhafajt, deputeti i PD thërret median: Mos i besoni ‘Fred Hajdutit’

12 Tetor 2018, 14:55

Deputeti i PD, dhe njëherësh kryetari i PD dega Fier, Luan Baçi ka thirrur mediat për të dhënë një deklaratë që kishte si qëllim të nënvleftësonte dëshmitë e bashkëpunëtorit të Babales në sajesën e audio- përgjimit.

Demokrati Luan Baçi e ka cilësuar Alizotin njeri të ulët, pasi ai kërkonte lekë në të gjithë Fierin, ndërkohë që sot Ervin Salianji pas daljes nga prokuroria tha se ai beson ‘në Zot, ndërsa Rama te Alizoti’.

‘Ky njeri që kam edhe njohje personale, është një ordiner, që u kërkon lekë njerëzve rrugëve, është hajdut banesash. Policia e ka ndjekur për ta kapur. E njohin si ‘Fredi hajduti’. Më vjen keq që policia e merr kaq seriozisht. Kjo është histori ordinere, më vjen keq se e kam bashkëqytetar’ tha ai.

Strategjia e PD në ditët e fundit ka qenë denigrimi dhe akuzat e shumta ndaj Alizotit si një njeri i pabesueshëm.  Përgjimet, por edhe dëshmia në prokurori e Fredi Alizotit se ishte ai që luajti rolin e aktorit duke  interpretuar zërin e Agron Xhafajt është arma kryesore e prokurorisë për të zbardhur të vërtetën.