Presidenti i PE, Antonio Tajani: Përfytyroj kampe refugjatësh në Shqipëri

23 Qershor 2018, 13:27

Para samitit jozyrtar të BE për azilin, presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani thekson se stabiliteti i Europës varet nga Gjermania. Tajani përfytyron mundësinë e kampeve në Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për grupin mediatik gjerman “Funke Medien Gruppe” të shtunën (23.06), presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani është shprehur, se “mënyra e veprimit me çështjen e migracionit nuk duhet të çojë në shpërbërjen e BE-së. Sipas Tajanit, nëse çdo shtet do të veprojë sipas interesave të veta, kjo do ta shpërbënte BE-në, shkruan dpa. Në të njëjtën kohë, presidenti i Parlamentit Europian u kujtoi partive gjermane në grindje të fortë për çështjen e azilit, se migracioni “nuk është një problem vetëm gjerman.”

Italia dhe Greqia ndodhen po ashtu nën presion të madh.

“Tani nuk bëhet fjalë për zgjidhje të veçuara kombëtare. Ne kemi nevojë për një strategji europiane.”

Në samitin e Bashkimit Europian më 28 dhe 29 Qershor pritet të diskutohet ndër të tjera edhe çështja e refugjatëve. Partia kristiansociale CSU në Gjermani kërkon që menjëherë pas tij të vendosë se si do të veprojë. Ndërkohë këtë të dielë, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka ftuar në një takim në Bruksel vendet e BE-së për krizën e migracionit. 16 vende duan të marrin pjesë në këtë samit.