IKMT nis shembjen e bizneseve pa leje në Jalë, revoltohen pronarët: Nuk jemi njoftuar, në dhoma kemi ende turistë

18 Shtator 2018, 08:41 | Përditesimi i fundit: 2018-09-18 11:56:57

VLORË- Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, ka nisur një aksion mëngjesin e sotëm për prishjen e 9 bizneseve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të Jalës. Objektet e prishura nga IKMT janë kryesisht biznese në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera.

Report Tv ka raportuar se pronarët e bizneseve kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre. Ata thonë se nuk janë njoftuar për këtë aksion. Disa prej tyre kanë dalë kundër këtij aksioni janë përplasur me policinë dhe kanë thënë se po tentohet që të nxirren me dhunë nga ndërtesat.

“Nuk jemi njoftuar, duan të na nxjerrin  me dhunë. O kriminela, jemi shqiptarë more, jemi shqiptarë. Vini këtu të armatosur. Grup i armatosur kriminal, veproni pa urdhër njësoj si grup kriminal. E kemi paguar me jetë more. O kriminelë, ku i keni. O kriminelë!”-janë shprehur banorët.

(Pronarët duartrokasin në shenjë proteste aksionin e policisë)

Në një njoftim për mediat IKMT sqaron se janë 9 objekte të shembura pasi janë të palegalizuara, dhe thekson se janë të përjashtuara nga procesi i legalizimit.

"IKMT prish 9 objekte në zonën e Jalës. Objektet një dhe dy katësh me funksione shërbimi, kryesisht hoteleri. Objektet e prishura janë ndërtime pa leje dhe të përjashtuara nga procesi i legalizimit. IKMT ka bërë njoftimet dhe po vijon puna sipas përcaktimeve të ligjit"-thuhet në njoftimin e IKMT.