Projekti '100 Fshatrat' Rama në Jalë: Do të përfshijmë dhe universitete të huaja

18 Gusht 2018, 20:27

Jalë-Pak javë pas mbylljes së sesionit parlamentar, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të rinisë programin e ri politik të qeverisë nga bregdeti, ku mori pjesë në mbledhjen me të rinjtë dhe pedagogët e Akademisë “100 fshatrat”.

Rama tha se ky projekt ndihmon në zhvillimin në disa drejtime të Shqipërisë rurale. Kryeministri u ndal tek bashkëpunimi i qeverisë me Akademinë, por edhe ai i institucioneve. Rama tha se në këtë projekt do të ketë një bashkëpunim edhe me universitetet e huaja tw cilat do tw marrin pjesw nw kwtw projekt.

Mundësi reale për të çelur një rrugë të re dhe shumë të zhvilluar ndaj qasjes së problemeve të Shqipërisë rurale. Duhet patur parasysh zhvillimi paralelisht i një politike të re që ne kemi lançuar për agroturizmin, për nxitjen e sa më shumë familjeve në Shqipërinë rurale, por edhe të emigrantëve për të kthyer sytë nga mundësia e jashtëzakonshme që i ofron shumëkujt territori i vendit tonë për të zhvilluar ekonominë familjare. Ne besojmë se duke nxitur agroturizmin, do ketë një efekt zinxhir që do të ndikojë mbi zhvillimin rural dhe punësimin e të rinjve në Shqipërinë rurale dhe në kushtet sociale në tërësi. Është një përpjekje që fillon dhe gjeneron energji, shtrin rrugën e zhvillimit, duke dhënë shembuj konkretë dhe inkurajues. Janë 100 fshatra të zgjedhur jo rastësisht, por me vëmendje dhe kujdes nga bashkitë. Ka një ndërthurje të trashëgimisë kulturore, traditave dhe burimeve natyrore. Ka një diversitet, për të krijuar modele inspiruese për të tjerë. Nga ana tjetër është një përpjekje për të ndërthurur sa më shumë role aktorësh të ndryshëm, qeveritarë, ministri, agjenci por edhe universitetin. Akademia është një instrument i rëndësishëm për 1 mijë arsye. Vjen në ndihmë për të plotësuar një boshllëk në territor. Ka mungesë të burimeve njerëzore në terren. Academia sjell një larmi këndvështrimesh, që nga pedagogët deri tek studentët që kanë ide dhe energji. Kjo na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të kemi një numër projektesh dhe skenarë zhvillimi, por edhe bazë kërkimi. Ne do të përfshijmë edhe universitete të huaja në këtë projekt, programi nuk fillon dhe mbaron me afate, është afatgjatë. Ky program, krijon mundësi për të përfshirë shumë të tjerë duke nisur nga universitetet e huaja.