Protesta tek 'Unaza e Re'/ Banorët bllokojnë sërish rrugën, përplasen me policinë

19 Nëntor 2018, 18:03 | Përditesimi i fundit: 2018-11-19 20:30:42

TIRANË- Banorët e Astirit kanë rinisur sot protestën në segmentin e Unazës së Re kundër projektit të Unazës së Madhe. Report Tv ka mësuar se banorët kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë. Banorët po marshojnë sërish drejt ish-sheshit Shqiponja, njësoj si dje, ku bllokuan edhe rrugën tek Dogana duke krijuar kaos dhe trafik.

Në mbështetje të tyre kanë shkuar sërish deputetët demokratë, Klevis Balliu dhe Flamur Noka. Policia ka ndërhyrë për të liruar rrugën por ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen. Në ndihmë të policisë kanë mbërritur edhe FNSH. Ndërsa mësohet se janë shoqëruar disa persona në komisariat.

Kjo është dita e 16-të e protestës së tyre, ndërkohë që ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse. (Lexo këtu)

Banorët thonë se ditën e sotme në banesat e tyre ka shkuar Policia e cila ka kërkuar sipas tyre që të heqin makinat nga oborret pasi pritet që të nisë shembja. Lidhur me thirrjen që Autoriteti Rrugor Shqiptar iu ka bërë sot që të shkojnë dhe të sqarohen, banorët thonë se nuk kanë çfarë të sqarojnë dhe se kërkojnë dëmshpërblim.

Banorët e Astirit kanë hyrë sot në ditën e 15-të të protestës së tyre. Banorët kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut për banesat e tyre. Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e "Unazës së Re" po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e "Unazës së Madhe" një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjecar.

Për projektin e "Unazës së Madhe" parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës,bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.