Pulia i dhuron Tiranës 3 mijë pemë, bashkëpunim edhe për Ujësjellësin, Veliaj: Këtë vit do të kapim rekordin

19 Nëntor 2018, 15:16

Rajoni i Pulias i bashkohet Bashkisë së Tiranës në nismën e saj ambicioze për krijimin e Pyllit Orbital, një brez i gjelbër me 2 milion pemë që do të rrethojë kryeqytetin shqiptar.

Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano mbajti premtimin e dhënë një vit më parë, duke dhuruar sot 3 mijë pemët e para, në shenjë miqësie mes dy vendeve, të cilat u mbollën në Liqenin e Farkës, aty ku do të krijohet “Parku i Pulias”.

Presidenti Emiliano vlerësoi maksimalisht punën e Bashkisë së Tiranës dhe nismën e kryebashkiakut Veliaj, për të krijuar një prej pyjeve më të mëdhenj në Europë të mbjellë nga dora e njeriut.

Pulia hedh rrënjë në Shqipëri, jo vetëm në mënyrë metaforike. Është kjo ditë e mrekullueshme ku po realizojmë këtë ide të kreut të Bashkisë së Tiranës, i cili ka si qëllim të krijojë një prej pyjeve më të mëdhenj në Europë, të mbjella nga dora e njeriut, me miliona pemë të dhuruara nga të gjithë miqtë e Shqipërisë. Ky është një lis i pyjeve tona, i cili ka bërë një rrugëtim që nuk ndan, por bashkon dhe hedh rrënjë në Shqipëri. Në Itali ka një ligj ku thuhet: sa herë lind një fëmijë, duhet mbjellë një pemë, ndaj për ne ky është një moment tejet emocionues dhe miqësor sepse Pulia në Shqipëri ndihet si në shtëpinë e saj. 

Michele Emiliano, president i Rajonit të Puglias

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi Presidentin Emiliano për dhuratën konkrete në forcimin e miqësisë mes dy vendeve.

Në politikë takojmë shumë njerëz që bëjnë premtime, që nuk mbahen kurrë. Ajo që më vjen mirë është se presidenti Emiliano dha një fjalë dhe e mbajti. Sot është kthyer me skuadrën e tij me 3 mijë pemët e para, ndërsa 1 mijë të tjerat do të vijnë në mars. Në Liqenin e Farkës kemi projektuar një parcelë të re, e cila do të quhet ‘Parku i Pulias’, si park miqësisë, i bashkëpunimit dhe i dashurisë që kemi për njëri-tjetrin. Duke mbjellë secili një pemë, mund të japim kontributin tonëpër të kapur një rekord në Tiranë me 150 mijë pemë për këtë sezon

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës

Përveç pemëve, Bashkia e Tiranës dhe Rajoni i Pulias do të rrisin bashkëpunimin edhe në fushën e menaxhimit dhe të trajtimit të ujit të pijshëm.

Kryebashkiaku Veliaj dhe Presidenti Emiliano biseduan mbi mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave të suksesshme në fushën e ujësjellës-kanalizimeve.

Kemi gjithashtu një bashkëpunim për çështjen e ujësjellësit, ku Rajoni i Pulias ka një reputacion maksimal te menaxhimi i burimeve ujore. Ki parasysh se është një vend i cili nuk ka shumë burime ujore, që do të thotë se janë bërë mjeshtra i burimeve që kanë. Kështu, besoj se edhe ujësjellës-kanalizimet e Tiranës mund të përfitojnë shumë nga eksperienca e miqve puljezë.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës

Duke vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo e cilësoi rajonin e Pulias një shembull të bashkëpunimit midis dy brigjeve të Adriatikut. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano përuruan edhe zyrat e reja të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.