Punimet te Kopshti Zoologjik në Tiranë drejt fundit, do transferohen kafshët e 'Parkut të Ferrit'

20 Tetor 2018, 15:17 | Përditesimi i fundit: 2018-10-20 17:35:32

Një ditë pas inspektimit, të urdhëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, që Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ushtruan në lokalin “Safari Park”, në Fier, ku pas verifikimit të dokumentacionit u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe largimi i menjëhershëm i kafshëve, në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ka nisur puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për vendosjen e 13 kafshëve të “Safari Park”. "Safari Park" u pagëzua nga mediat britanike si "Parku i Ferrit" ku binte në sy një luan me syrin e plagosur dhe në gjendje shëndetësore të dobët, si dhe kafshët e tjera që mbaheshin në kushte robërie brenda kafazëve pa ushqim dhe kujdes shëndetësor.

Bëhet fjalë për strehimin e 13 kafshëve: 3 luanë, 1 ari, 1 zebër, 1 ujk, 1 dhelpër, 2 antilopa, 2 majmunë dhe 3 drerë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me mbështetjen e fondacionit austriak “4Putrat” deklarojnë se mjediset e reja janë parashikuar të ndërtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, hapësira specifike sipas llojit të kafshës. Si në rastin e 2 antilopave, për të cilat është parashikuar krijimi i një hapësirë prej 800 metrash katrorë, përfshirë edhe dhomën e sigurisë për të pushuar apo ku do të vendosen për arsye sigurie gjatë pastrimit.