Rama i çon për herë të dytë kërkesën për dekretimin e Lleshit, çdo të bëjë Meta?

12 Nëntor 2018, 08:03

Mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv u diskutua ridërgimi te Presidenti Meta i kërkesës për dekretimin e Sandër Lleshit. Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Shkëlqim Hajdari u shpreh se Meta nëse nuk e dekreton sërish Lleshin duhet të sqarojë arsyet.

Presidenti duhet ta dekretojë Lleshin, pasi përgjegjësia politike është e kryeministrit që e ka propozuar. Presidenti nëse nuk e dekreton ta shoqërojë me arsyet, rezervat që ka. Presidenti nuk mund të përgjigjet pa një dekret.

Shkëlqim Hajdari

Por, juristi Kristaq Kume tha se Presidenti ka të drejtë ligjërisht që të refuzojë një kandidaturë për ministër, por në këtë rast, shton ai, duhet të shpjegojë motivet.

Presidenti është në të drejtën e tij, që të shprehet ‘po’ ose ‘jo’. Derisa emëron dhe shkarkon, nuk ia lë kot 7 ditë në dispozicion. Kushtetuta nuk i thotë duhet të marrësh patjetër këtë vendim. Psh si në rastin e kryetarit të Akademisë së Shkencave apo rektorin ku është vetëm honorifike firma. Në këtë rast firma ka rëndësi. Ky rast është shumë sensitiv dhe presidenti duhet të shpjegojë pse nuk është dakord, nëse nuk është. Ligjërisht presidenti ka të drejtë që të mos dekretojë një ministër.

Kristaq Kume

Gjergj Koja u shpreh kundër ‘Kjo i bie që të rrëzohet shumica. Kjo është Republikë parlamentare. Ky president nuk zgjidhet nga populli’. Për deputetin opozitar Nard Ndoka, Presidenti nuk është noter, por filtër. E ndërsa nuk sheh në horizont ndryshim të qëndrimit të Metës, ai me një batutë propozon një zgjidhje tjetër.