Receta e ditës - Gulash me pulë e kërpudha dhe qofte me miell misri / Pjesa e parë

17 Shtator 2018, 15:51

Receta e parë : Gulash me pulë dhe kërpudha

Përbërësit:

400 gr fileto pule

300 gr kërpudha

2 kokrra qepë

2-3 karrota

1 lugë gjelle miell

500 ml lëng pule

500 ml qumësht

100 ml pana

3 lugë gjelle vaj ulliri

Majdanoz

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

1. Fillimisht lajmë, thajmë fileton e pulës dhe  e presim atë në kubikë mesatarë dhe i kaurdisim me 1 lugë gjelle vaj ulliri, më pas i lëmë mënjanë.

2. Po kështu ngrohim vajin dhe pasi i kemi pastruar kërpudhat dhe prerë në feta, i kaurdisim ato deri sa të mos ketë lëng në tigan dhe i heqim mënjanë.

3. Në një tenxhere të thellë me 1 lugë gjelle vaj kaurdisim qepën të prerë në fije deri sa të zverdhet pak. Shtojmë mishin e pulës të kaurdisur më parë, kërpudhat dhe i përziejmë së bashku duke i pudrosur me 1 lugë gjelle miell. I trazojmë vazhdimisht që mielli të mos marrë ngjyrë. E shuajmë me lëngun e pulës dhe i lëmë përbërësit të ziejnë për 5 minuta . Më pas shtojmë dhe qumështin e ngrohtë dhe e lëmë të ziejë , pas 3 minutash shtojmë karrotat në kubikë dhe lëmë supën të ziejë për 10 minuta të tjera. E largojmë nga zjarri, shtojmë panën , e trazojmë ngadalë dhe rregullojmë shijen m kripë e piper. Shtojmë barqepe të grirë hollë ose majdanoz të grirë. E vendosim në zjarr sa të valojë dhe menjëherë e largojmë. Gati për tu shërbyer.