Receta e ditës - Petulla të fshira, supë krem brokoli dhe ananas me kos / Pjesa e parë

Receta e parë : Petulla të fshira

Përbërësit:

225 gr miell

0.5 litra ujë

3 kokrra vezë

kripë

2 lugë gjelle vaj ose gjalpë

150-200 gr djath i bardhë

7-8 thelpinj hudhër

Vaj ulliri

Përgatitja : 

Fillimisht shtypim mirë hudhrën dhe aromatizojmë vajin e ullirit . në një tas të madh vendosim 0,5 litër ujë , shtojmë miellin e situr në të dhe i përziejmë me tel dore vazhdimisht deri sa mielli të tretet në ujë dhe të na formohet një masë kremoze e hollë dhe pa kokrriza.

Shtojmë 1 lugë çahi kripë dhe vazhdojmë përzierjen. Shtojmë 2 lugë gjelle vaj ose 2 lugë gjelle gjalp të shkrirë dhe vazhdojmë përzierjen. Shtojmë 1 vezë të plotë dhe e trazojmë deri sa veza të jetë lidhur mirë me brumin. Shtojmë vezën e dytë , vazhdojmë përsëri përzierjen dhe në fund shtojmë vezën e tretë e përsëri vazhdojmë përzierjen. Pasi brumi i hollë të jetë lidhur mirë , e kalojmë në sitë për të qenë të sigurt për kokrrizat e miellit.

Vendosim tiganin e krepave, e ngrohim atë, e lyejmë me gjalp dhe e fshijmë. Shtojmë 1 garuzhde krem brumi dhe i pjekim petullat (krepat) për 3 minuta nga të dy anët. Kur e shohim që anët shkëputen nga tigani, i kthejmë ato nga ana tjetër. Kështu vazhdojmë deri në pjekjen e fundit.

Marrim një tavë keku, e lyejmë fundin e saj me gjalp dhe vendosim një petull të fshirë. E spërkatim me pak vaj me hudhra të aromatizuara dhe shtojmë në të pak djath të bardhë të cilin e kemi grirë në rende. Përsëri shtojmë petull , dpërkatim me vaj e hudhra dhe shpërndajmë pak thërrime djathi e kështu vazhdojmë deri në fund. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 220ºC për 10 – 15 minuta.