Refuzuan dosjen e Shullazit, Arta Marku me dorë të hekurt, transferon prokurorët 'rebelë'

20 Shtator 2018, 17:38

TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka urdhëruar transferimin e përkohëshëm në rrethe të prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit për dosjen e Shullazit.

Bëhet fjalë për prokurorët: Olsian Çela, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj, e cila do të transferohet në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmatajn, i cili do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit.

Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Beçin dhe Blerim Tominajn, Marku ka kërkuar hetim disiplinor.

Ditën e djeshme prokurorët e Krimeve të Rënda janë 'rebeluar' dhe kanë braktisur mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e tyre, Donika Prela.

Burime për ‘Report Tv’ bënë me dije se tema e mbledhjes ishte zëvendësimi i prokurorit Eneid Nakuçi në dosjen “Shullazi”. Por ky zëvëndësim nuk është pritur mirë nga prokurorët  të cilët u shprehën se e zëvendësimi i Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.

Prej 3 javësh pretenca është bllokuar pasi Nakuçi ka ikur jashtë shtetit me pretendimin se është sëmurë, ndërsa Elisabeta Imeraj është bërë drejtuese tek Tirana.

Seanca e radhës për dosjen ‘Shullazi’ është parashikuar për datë 25 shtator. Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës.

Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Njoftimi i plotë:

Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e datës 19 shtator 2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi refuzimin nga ana e prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 109/b; 333/a; 334 etj.të Kodit Penal urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve: Olsian Çela; Përparim Kulluri; Behar Dibra; Sonila Muhametaj; Arenc Çela; Edvin Kondili; Pranvera Pustina; Eugen Beçi; Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.