Rehabilitohet blloku i banimit në Selitë, Veliaj bëhet bashkë me Majkon dhe inspekton punimet: Mbajmë premtimin

17 Gusht 2018, 21:03

Investimet në çdo lagje të Bashkisë së Tiranës kanë prekur edhe banorët e Selitës, të cilët janë përfitues të një blloku të ri banimi, me rrugë të shtruara, ndriçim e trotuare. Ndërhyrja për rikonstruksionin e rrugëve të bllokut të kufizuar nga rrugët “Hamdi Pepa”, “Ilia Dilo Sheperi”, “Visarion Xhuvani”, “Leka i Madh”, ka zgjidhur problemin shumëvjeçar të mungesës së infrastrukturës për banorët e kësaj zone, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90.

Përfundimi i punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor, edhe kjo zonë, pas legalizimit të ndërtimeve, po njeh urbanizim, çka sjell cilësi më të lartë jetese për banorët, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit në Bashkinë Tiranë.

“Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla, por edhe pak në mentalitet. Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim; pra, është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën dhe në fund, pasi të kanë marrë pronën, ne ndërhyjmë në gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim”, u shpreh Veliaj.

Teksa u bëri apel banorëve të bllokut të mirëmbajnë investimin e kryer, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese. “Dua të falenderoj, së pari banorët që kanë lënë pak nga territori i tyre i sapolegalizuar për t’ia dhënë bashkisë për trotuaret. Qytetarët duhet të kuptojnë se në fakt trotuari nuk është i bashkisë, por një barrierë sigurie për ata dhe fëmijët e tyre. Kur kemi ardhur këtu ka qenë një monopat i ngjashëm me një shteg dhish dhe rrëketë e lumenjve që vinin nga kodrat. Sot është dita me natën”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se qytetarët duhet të regjistrojnë adresën e saktë të vendbanimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve.