Rektori i ASA: Kemi botuar 70 tituj në tre vite, të kualifikohen të rinj në albanologji

12 Korrik 2018, 20:30

Albanologjia është një grup shkencash humane që i japin adrenalinën kombit, ndërsa pasaportën dhe identitetin tonë e nxjerrin përpara botës. Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjie, Marenglen Verli, teksa na shpjegon këtë për kamerën e “Report Tv” flet edhe për punën, që janë duke bërë 75 punonjës të ASA-së.

Gjatë dhjetë viteve të fundit janë botuar 200 tituj, prej tyre 70 gjatë 2 viteve të fundit. Për këtë Verli kërkon mirëkuptimin e instancave, që këto libra të shkojnë edhe në bibliotekat e shkollave, të bashkive edhe të lagjeve.

Njerëz të kualifikuar, trajtim material brenda ligjeve ekzistuese, por edhe më shumë hapësira janë vetëm disa nga shqetësimet që ngre akademiku.

Gjatë këtij viti ne kemi një plan shumë të ngjeshur, që kanë të bëjnë me konferencat, simpoziumet brenda edhe jashtë vendit, por janë edhe një numër i konsiderueshëm botimesh,nga të cilat janë mbi 20 vetëm për Skënderbeun edhe për periudhën e tij historike. 

Marenglen Verli, albanolog
Rektori synon që materialet e botuara që qëndrojnë në depo, gati 200 tituj, të ekspozohen edhe në hapësira të tjera shtetërore

Përveç instituteve analoge brenda edhe jashtë vendit, nga ne varemi, të arrijmë që literatura shkencore që publikohet këtu, monografi, vëllime dokumentare, përmbledhje, akte konferencash, revista periodike të çdo instituti, t’i çojmë edhe në universitete. sek Shpresoj që në mirëkuptim me ministrinë e Arsimit edhe në shkollat e mesme, ndoshta deri tek bibliotekat bashkiake edhe të lagjeve, kjo literaturë e zgjedhur albanologjike të shkojë tek të gjitha këto ambiente. Kemi magazinën, por vitrinën nuk e kemi pasur të mirë.

Marenglen Verli, albanolog