"Forca e ligjit" godet në Elbasan

23 Nëntor 2018, 06:32 | Përditesimi i fundit: 2018-11-26 07:45:20

Mbrëmjen e së mërkurës në emisionin Repolitix, gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha ka publikuar për herë të parë disa foto ekskluzive nga një aksion që RENEA ka ndërmarrë kohë më parë në qytetin e Elbasanit.  Gazetari ka thënë se këto foto vijnë nga një operacion që RENEA duhet të zhvillonte, pasi ishte dhënë informacioni se po lëvizte një grup i strukturuar kriminal, por më pas çuditërisht, RENEA nuk ka ndërhyrë.  Në foto shihet qartë sesi kalojnë makinat e blinduara të këtyre eksponentëve të lidhur me krimin, por RENEA nuk ndërhyn, ndërkohë që qytetarët e zakonshëm i janë nënshtruar kontrollit.

“Informacioni ishte se ka lëvizur një grup i strukturuar, u dërgua RENEA. Grupi për të cilin ishte dhënë informacioni nuk është ndaluar nga forcat speciale. Mjeti i parë që kalon dhe nuk i ndalon postbllokut të policisë, qytetarët ndalojnë normalisht. Mjeti i parë dhe mjeti i dytë duhet të kontrolloheshin nga RENEA por nuk u kontrollua. Nuk mendoj se kishte frikë RENEA për të ndërhyrë. Mjete të blinduara, qindra mijëra euro. Lëvizin me eskortë. Ngjarjet kanë pikë vlimi, pika ishte masakra ku u plagosën 8 vetë dhe 3 të tjerë u vranë. Një nga rrugicat e Elbasanit në ditë normale. Ky është postblloku i “të fortëve”, brenda qytetit ka njerëz që paguhen për të raportuar çdo lëvizje të kundërshtarit dhe policisë. Kanë sistem të sofistikuar mbrojtjeje” deklaroi ai.