Punimet për TAP, zbulohet siti më i madh arkeologjik në Shqipëri

4 Gusht 2018, 19:44 | Përditesimi i fundit: 2018-08-04 19:45:03

Shqipëria zbulon sitin më të madh arkeologjik, ku ruhen tri epoka të ndryshme nga 8000 vite para Krishtit deri tek 1000 vite pas Krishtit. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Michele Elia, Menaxher i TAP në Shqipëri vizituan një nga sitet e gërmimeve arkeologjike në gjurmën e gazsjellësit TAP në Shqipëri, ku janë zbuluar vendbanime të periudhës prehistorike e deri në mesjetën e vonë, si dhe shumë objekte arkeologjike. Projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP është zhvilluar paralelisht me proceset arkeologjike.

Jemi në një nga sitet e gërmimeve arkeologjike që paraprin në fakt, të gjithë gjurmën e gazsjellësit TAP në Shqipëri. Dua të theksoj që është një ndër bashkëpunimet më të mira që ne kemi me zhvillimet industriale dhe që tregon në të njëjtën kohë që nuk janë të papajtueshme trashëgimia kulturore dhe zhvillimi industrial i vendit, mjafton të kemi bashkëpunim dhe të ruajmë standardet. Është për t’u theksuar që janë pikërisht kantieret industriale, që janë dhe një burim shumë i mirë financimi për gërmimet arkeologjike, të cilat kanë kosto dhe që nuk mund të përballohen vetëm nga burimet e financimit të kërkimit shkencor. Kështu që, sinqerisht, i jam mirënjohëse TAP-it për vendosjen e standardit, por edhe për dhënien e një modeli shumë të suksesshëm për atë që në fakt nuk pritet që të jetë drejtpërdrejtë puna e TAP-it, që është puna në trashëgiminë kulturore.