Del videoja e dhunimit të avokatit Ilia Ilia, autorët e sulmit janë dy persona, njëri shtyu policin

20 Korrik 2018, 11:58 | Përditesimi i fundit: 2018-07-20 16:10:15

Report Tv ka siguruar videon nga momenti kur para Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, u dhunua avokati Ilia Ilia. 

Autorët e sulmit, siç shihet edhe në pamjet ekskluzive, janë dy, të veshur me treçerekshe dhe të pambuluar, ndërsa njëri mbante një kapele. Ilia Ilia ka qenë duke biseduar me një person tjetër, i identifikuar si Sadik Lasku, inspektor policie në Durrës, kur aty afrohet një prej dhunuesve. Pasi avokati shkëputet nga Lasku, bisedon për pak sekonda me dhunuesin, i cili më pas e godet me grusht në fytyrë. Në ndihmë të agresorit shkon edhe një person i dytë.

Inspektori i policisë, Lasku, ka tentuar t'i ndajë palët në konflikt, ndërsa dy autorët largohen me vrap. Sipas avokatit Ilia, një prej dhunuesve quhet Edmond Voga. Ilia Ilia në momentin e sulmit ishte duke shkuar drejt prokurorisë së Durrësit, pasi kishte dalë nga ambientet e Gjykatës.

Ditën e djeshme, në një prononcim për Report Tv, avokati akuzoi prokurorin Arjan Ndoji si porositës të sulmit. Avokati tha se me Ndojin kishte një përplasje në Gjykatë dhe se prokurori e kishte kërcënuar.

 “Kam dalë nga seanca gjyqësore e Gjykatës së durrësit rreth orës 10:30 dhe po ikja nga Prokuroria. Më del një person përpara dhe më thotë ti je ai që i ke bërë karshillëk prokurorit Arjan Ndoja dje në seancë gjyqësore, ke bërë të fortin. I thash kush je ti, ai më ofendoi, i ktheva të njëjtën përgjigje. Jam goditur nga ky dhe personi tjetër që erdhi. Dje në seancë gjyqësore më kanosi prokurori.”-tha avokati Ilia.