Risia e shëndetësisë: 'Doktorët gazmorë', ekipi izraelit trajnime për mjekët dhe infermierët shqiptarë

16 Tetor 2018, 18:49

Mjekët dhe infermierët shqiptarë do të trajnohen nga ekipi profesionist i "doktorëve gazmorë" të Izraelit për të qënë më miqësorë me pacientët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ambasada e shtetit të Izraelit në Tiranë kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për trajnimin e 30 mjekëve dhe infermierëve nga e gjithë Shqipëria, për programin e “Dream Doctors”, pra doktorët gazmorë të Mjekësisë.

Ditën e sotme, vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ambasadori Izraelit, Boaz Rodkin vizituan ambientet e spitalit Pediatrik në QSUT, ku ekipi i doktorëve gazmorë profesionistë nga Izraeli performuan për pacientët e vegjël.

Kjo mënyrë e re e trajtimit të fëmijëve në spitale do të mundësojë që ata të mos ndihen si në spital. Sigurisht medikamentet bëjnë pjesën e tyre por edhe sjellja e mirë është një element më shumë për t'u shëruar sa më shpejt.

Ogerta Manastirliu, ministre 

Duke treguar mbështetjen për trajnimet e ekipeve shqiptare, ambasadori i Izraelit u shpreh se është e provuar që t’i kthesh buzëqeshjen fëmijëve i ndihmon të shërohen më shpejt.

Trajnimi i mjekëve dhe infermierëve zhvillohet nga data 15-20 tetor në Tiranë, ku ekipi profesionist i "doktorëve gazmorë" të Izraelit do të prezantojë teknikat e terapive për pacientët, jo vetëm ata në Pediatri, për t’jua bërë sa më të lehtë qëndrimin në spital.

“Dream Doctors” janë animatorë mjekësorë profesionistë, të cilët janë të trajnuar për terapi pacienti gjatë shtrimeve në spital, apo trajtimit ambulator. Kjo praktikë e njohur botërisht, ka të integruar këta profesionistë në stafin mjekësor multidisiplinar, kryesisht (por jo vetëm) në repartet pediatrike.