Rreziku nga gjarpërinjtë, mjeku: Fermerët e bujqit të kenë kujdes, helmi i tyre vdekjeprurës

12 Qershor 2018, 22:16

Rritja e temperaturave ka sjellë me vete edhe rrezikun e pickimeve nga zvarranikët dhe insektet. Në qarkun e Fierit vetëm për muajin maj dhe qershor janë regjistruar mbi 12 raste të cilat janë pickuar nga gjarprinjtë, akrepat dhe merimangat. Mjekët  apelojnë për kujdes pasi përqendrimi i helmeve nga zvarranikët është vdekjeprurës.

Temperaturat e larta kanë sjellë edhe mjaftë probleme në qarkun e Fierit. Janë mbi 12 raste të cilat janë paraqitur në spitalin rajonal të Fierit për të marrë ndihmën mjekësore sa i përket pickimeve nga insektet dhe zvarranikët. Maji dhe qershori ka shënuar numrin më të lartë të pickuarve, rastet më të mëdha janë nga pickimi i nepërkës, ku numri i tyre arrin deri në 7 persona, të cilët janë kryesisht nga zona e Cakranit në Fier.