Ruçi takim me Menduh Thaçin: Shqipëria inkurajon kohezionin e faktorit politik shqiptar

18 Shtator 2018, 21:04

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka pritur sot në Kryesinë e Kuvendit, Menduh Thaçin, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni.

Gjatë takimit të tyre u diskutua mbi rakordimin e qëndrimeve mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Në fjalën e tij Ruçi vlerësoi rolin konstruktiv dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në këtë proces dhe nënvizoi se Shqipëria inkurajon kohezionin e faktorit politik shqiptar që të bëhet protagonist i ndryshimeve transformuese që i mundësojnë vendit fqinj të përparojë në procesin e anëtarësimit euroatlantik. Në fund Ruçi shprehu besimin se në referendumin e 30 shtatorit shqiptarët e Maqedonisë do të mbështesin procesin e nisur të paqes.

Nërsa Menduh Thaçi vuri në dukje se faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni janë në një mendje dhe po punojnë bashkarisht për të nxitur shqiptarët të marrin pjesë, pa kushte, në referendumin e 30 shtatorit.