Rudina Hajdari: Të gjithë ju deputetë kryehajdutë që rrini kafeve, të zhduket kjo klasë politike

13 Dhjetor 2018, 13:25

Pas kritikave në adresë të PD dhe paralajmërimit për lënien e mandatit (Lexo këtu), Rudina Hajdari ka thyer sot bojkotin, duke marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Ajo ka mbërritur në seancë pasi ishin larguar 9 deputetët e tjerë të PD dhe LSI të cilët gjithashtu thyen bojkotin, por dolën nga seanca në shenjë proteste për rrëzimin e amendamenteve për arsimin e lartë (Lexo këtu). Rudina Hajdari mori edhe fjalën në seancë duke komentuar protestën e studentëve jashtë Kuvendit. Sipas saj, nëse vërtetë politika do ndryshim në këtë vend, atëherë duhet ta nisë nga kapja e atyre pedagogëve që akuzohen nga studentët si të korruptuar. 

Sot kam ardhur vetëm për një arsye të vetme. Nuk kam ardhur për të marrë një llokmë të studenteve, jam për t’i mbështetur. Këtu kushdo që foli më parë ju them se jeni kryehajdutë që nuk e doni këtë vend dhe nuk e keni dashur ndonjëherë. Ju që bëni sikur ju intereson ky vend, por rrini vetëm nëpër kafe. Sillni listat e hapura. Nëse e doni këtë vend sillni Kodin Zgjedhor. Nëse doni ndryshime në këtë vend, sillni këtu kodin zgjedhor, mos mbani listat e mbyllura. Silleni këtu ta votojmë dhe atëherë do të pastrojmë këtë parlament, do të pastrojmë këtë kastë politike dhe do ta ndryshojmë këtë vend.

Doni ndryshim për studentët, ndryshoni auditoret, kapni ato pedagogët aty. Nëse e doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni shoë politik se jemi të ngopur. Ky vend është ngopur. Studentët nuk dalin aty thjesht se duan ndryshime, ata janë të ngopur. Atëherë kemi për ta ndryshuar këtë parlament dhe këtë kastë politike. Ky pra është ndryshimi. Nëse e doni këtë vend mendoni për këtë vend dhe mos na bëni show politik. Ky vend është i ngopur me ju. Studentët janë të lodhur nga të gjithë politikanët dhe kanë humbur besimin te ju.