Sezoni turistik, Klosi: Bregdeti, problematika në të gjithë sipërfaqen

Një ditë para fillimit  Javës së Tokës, ministri Klosi së bashku me të rinjtë aktivistë të Ecovolis dhe Ekomendje pastruan skajin më verior të detit Adriatik. Në grykëderdhjen e lumit Buna, në fillim të plazhit të Velipojës bashkë me ujërat vijnë edhe mbetjet që shpërndahen më pas në rërë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi apeloi qytetarët dhe bizneset që të përfshihen në “Javën e Tokës”. kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se aksioni do të vijojë edhe pas datës 22 prill përgjatë gjithë sezonit turistik. Ai u shpreh se të gjitha institucionet janë angazhuar në operacionin e pastrimit, por përfshirja e të gjithë shoqërisë sidomos në 22 prill, do të jetë vendimtare për një mjedis më të pastër.

Klosi theksoi se plazhi i mbushur me plehra është në kontrast të fortë  me pjesën tjetër në Malin e Zi, ku mjedisi dhe turizmi janë të zhvilluar së bashku në formën më të mirë. Kjo diferencë është e papranueshme për ministrin Klosi i cili shtoi se sezoni i bukur turistik është i papërputhshëm me këtë situatë që ka bregdeti ynë.