'Shahu' për dekretin e Lleshit, i ftuar ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani

13 Nëntor 2018, 14:51

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ komentoi debatin e krijuar pas ngërçit për emrin e Sandër Lleshit, dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zbatimin e reformës në drejtësi. Ylli Manjani vlerësoi aktin e Presidentit, ndërsa u shpreh se pas komunikimit mes institucioneve dhe heqjes së statusit të ushtarakut për gjeneralin situata do të zgjidhet duke nënkuptuar se Meta do ta dekretojë Lleshin.

Akti nga Presidenti ishte kurajoz, por jo i motivuar. Ka njerëz si unë që do të donin që këtë mosbindje Presidenti ta kishte për kryeministrin. Nuk është mirë për kryetarin e shtetit që të lerë gjëra evazive, duhet të kishte një motiv më të fortë. Por në fund të ditës e detyroi kryeministrin që të flasë zyrtarisht, pasi nuk propozohet ministri me një Tëitter, nuk mund të injorohet presidenti në këtë derexhe. Mendoj që duhet të kishte një motiv më të fortë nga Presidenti. Çfarë të shkuare ka, si pritet që të ndikojë në të ardhmen? Këto kryeministri duhet ti ndajë me atë që e emëron, por nëse e bën me arrogancë, ky nuk është komunikim zyrtar. Diçka duhet të mbetet në arkivën e Presidencës. Komunikimi i zbardhur sot është zyrtar normal. Duhet të hiqet pengesa kushtetuese, një ushtarak aktiv nuk mund të kandidojë për deputet apo të marrë poste politike. Presidenti i bie që të heqë pengesën kushtetuese dhe pastaj të shprehet për dekretin.