Sherri PD-PS në PE, Balla: Shfaqje e turpshme, opozitës i kërkohet ti japë fund bojkotit

17 Tetor 2018, 14:19 | Përditesimi i fundit: 2018-10-17 15:36:49

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e ka cilësuar të turpshme sjelljen e deputetëve të opozitës në Parlamentin Europian, gjatë mbledhjes së Komitetit të Stabilizim Asociimit. Opozita kërkoi përjashtimin e Ballës nga delegacioni me pretendimin se është i lidhur me segmente të trafikut drogës, ndërsa kjo kërkesë dhe akuzat ndaj socialistit hasën në rezistencën e eurodeputetëve, mes të cilëve edhe nga përfaqësuesi i të djathtës, Eduard Kukan. Balla tha se qëndrimi i opozitës çuditi Parlamentin Europian, ndërsa shtoi se pavarësisht nga kjo, Komiteti i Stabilizim Asociimit doli me një deklaratë që mbështet çeljen e negociatave në qershor 2019 si dhe thyerjen e bojkotit nga opozita. 

Ajo shfaqje e turpshme, le të jetë një akt i fundit i sjelljes në vite të ndrysjme të politikës shqiptare në Bruksel. Një prej miqve të Shqipërisë, në përfundim të asaj dite pune, solli në vëmendje që nuk ka pasur dhe nuk ka një vend tjetër në rrugën e anëtarësimit në BE, që opozita të shfrytëzojë mikrofonat e sallave të PE, apo të Këshillit, Komisionit, për të sharë vendin e vet. Kemi çfarë kemi, duhet t'i diskutojmë këtu.