Të shtëna me armë në disko 'Havana' në Dhërmi, policia: Në pranga autori, qëlloi 4 herë

8 Korrik 2018, 11:01 | Përditesimi i fundit: 2018-07-08 17:42:24

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një lokal nate në Dhërmi, 37 km nga Vlora. Mësohet se disa të rinj janë konfliktuar dhe kanë qëlluar me armë në ajër, pas një sherri në ambientet e një disko mjaft të njohur në jug të vendit. 

Report Tv mëson se ngjarja ka ndodhur brenda në disko "Havana" në zonën e plazhit, mjaft e frekuentuar kryesisht nga të rinjtë dhe jo vetëm, gjatë sezonit turistik. Gjatë sherrit, klientët kanë ikur me vrap të alarmuar dhe për pasojë disa prej tyre janë lënduar nga gotat dhe shishet e thyera. Përplasja me armë ka shkaktuar panik edhe te turistët të cilët kanë zgjedhur Dhërmiun për të pushuar, ndërsa ngjarje të tilla vënë në pikëpyetje sigurinë në zonat turistike, pavarësisht masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e sezonit. 

Report Tv siguron pamjet/Çfarë la pas përplasja me armë zjarri
Shishe, gota e karrige të thyera. Report Tv siguron pamjet se çfarë la pas përplasja me armë zjarri te disko ‘Havana’. Siç duket edhe nga video, sherri brenda diskos ka qenë masiv dhe ka kthyer përmbys gjithçka brenda ambienteve të diskos. Klientët kanë parë tmerr me sy dhe janë larguar të alarmuar për t'i shpëtuar plumbave. 

Policia: Arrestuam autorin, s'ka persona të lënduar nga të shtënat
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në disko 'Havana', duke arrestuar autorin që terrorizoi qytetarët dhe pushuesit me armë zjarri. Në pranga ka rënë 23-vjeçari Emiljano Nina, i cili ka qëlluar katër herë me pistoletë, pas një sherri me një person tjetër, për motive të hershme.