Shkodër, Peleshi: Sektori i peshkimit po njeh zhvillim, eksportet u rritën 55% në 6 muaj

23 Shtator 2018, 10:34

Në Bushat të qarkut të Shkodrës eksportet e sektorit të peshkimit janë rritur në masën e 55% në 6- mujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në stabilimentin e përpunimit të peshkut “Mare Adriatik” në Bushat të qarkut të Shkodrës, i cili është një investim bashkëkohor, ku në këtë sektor janë të angazhuar 500 punëtorë të ndarë në dy stabilimente me linja prodhimi dhe ambalazhimi për açugen, që është e destinuar e tëra për eksport me BE.

Mirëpo i gjithë ky sektor për ministrin Peleshi është një nga sektorët më pararojë në këndvështrimin e eksporteve me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Industria e përpunimit të peshkut tani, ajo është një industri e cila operon në treg me standarde evropiane, duke konkurruar denjësisht sipas kushteve dhe standardeve në tregjet botërore.

Gjashtëmujori i parë u mbyll me 55 % më shumë eksporte sesa viti kaluar. E theksoj dhe njëherë se bëhet fjalë për tregje me standarde shumë të larta evropiane, pra kemi arritur këto standarde.  

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi

Kjo vizitë nga ministri Peleshi në stabilimentin “Mare Adriatik”, ka ardhur menjëherë pas rezultatit pozitiv që mori Shqipëria pas auditimit të një misioni të strukturave të sigurisë ushqimore të Bashkimit  Evropian në vendin tonë.

Para dy ditësh sapo kemi përmbyllur një mision auditimi nga Bashkimi Europian, nga strukturat e sigurisë ushqimore, dhe mesa jemi informuar dhe mesa kemi marrë konkluzionet ka qenë një provim i suksesshëm për ne, për institucionet dhe për të gjithë sektorin privat, pra për stabilimentet e përpunimit të peshkut. Çka do të thotë që Shqipëria do të vazhdojë edhe me mbështetjen e institucioneve tona, të rritë nga viti në vit prezencën e vet, në tregjet botërore të tregtimit të këtyre prodhimeve. 

                                 Niko Peleshi

Gjithashtu për këtë sektor të peshkimit duhet theksuar, sidomos edhe në veçanti për atë të përpunimit të peshkut, se janë bërë hapa përpara. Në vitin e kaluar qeveria shqiptare hoqi TVSH-në për mjetet e bordit të anijeve të peshkimit, gjë që solli lehtësira dhe përfitime për rreth 2000 peshkatarë. Po ashtu në Skemën Kombëtare të Mbështetjes Financiare është parashikua për herë të parë masa e subvencionit për sardelet dhe açuget në vlerën prej 200 lekë të vjetra ose 20 lekë për kilogram, e cila do vazhdojë të aplikohet dhe në vazhdim.