Shkodër/ Vritet në atentat kushëriri i Arjan Ferracakut që u ekzekutua me breshëri plumbash në shtator

14 Nëntor 2018, 15:34

Shkodër- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Shkodër në lagjen "Partizani", në afërsi të zonës së njohur si Markata, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Report Tv ka mësuar se viktimë ka mbetur Fatos Ferracaku 40-vjeç i cili është qëlluar me një plumb në kokë, ndërsa i plagosuri është Fatmir Mehaj 49-vjeç. Viktima dhe i plagosur ishin të dy tregtarë peshku në tregun e Shkodrës. Autorët mësohet se kanë qenë dy persona me motor dhe skafandra, i cili ka ndaluar përpara shënjestrës dhe kanë ekzekutuar Ferracakun. 

Report Tv mëson se Fatos Ferracaku është kushëri i afërt me biznesmenin Arjan Ferracaku, i vrarë më 1 shtator në një atentat. Fatos Ferracaku është djali i xhaxhait të Kujtim Ferracakut, babai i 31-vjeçarit që u vra mbi kalë. Gjithashtu mësohet se atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku në janar të vitit 2018 iu vendos tritol Lulzim Kullës, i njohur ndryshe si 'i forti' i Shkodrës, tashmë i prangosur.

Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja arme zjarri. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja se pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti një motor të djegur në lagjen "Guerrile". Dyshohet se motori është përdorur nga autorët në ngjarjen kriminale. Besohet se shënjestra e këtij atentati ka qenë Fatos Ferracaku, ndërsa ngjarja ka tronditur qytetin në një orë kur fluksi i lëvizjeve është i lartë. Shqiptarja.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.