Shkolla e Gorricës pa standarde, mësuesja: Po largohen fëmijët nga kushtet e vështira

21 Prill 2018, 22:57

Shkolla e fshatit Gorricë në Këlcyrë është kthyer në makth për fëmijët e kësaj zone.Brenda gjenden dy klasa të sistemit 9 vjecar dhe një parashkollor. Në një prej klasave nuk zhvillohet fare mësim për shkak të kushteve aspak normale, ndërsa në dy të tjerat mësimi kryhet si në mesjetë.

Në ditë me shi, nxitojnë të rrëmbejnë enë të ndryshme për ti vendosur nëpër klasë dhe shmangin bankat për t’i shpëtuar pikave të shiut. Në kohë të thatë, ata i tremben gjarpërinjve që dalin nga vrimat e dyshemesë, e cila është e hapur në çdo pjesë të saj.

Shkolla ka pasur 15 fëmijë, por sot numëron vetëm 5 në sistemin fillor dhe atë parashkollor dhe po kaq në sistemin 9 vjecar. Prindërit të frikësuar nga kjo situatë, e kanë parë të udhës që më mirë të mos t’i çojnë fëmijët në shkollë pasi ndihen të rrezikuar.Të gjendur përballë kësaj situate, mësueset e parashkollorit kanë apeluar për zgjidhjen e kësaj situate:

Punojmë në kushte  shumë të vështira, kur bie shiu futet i gjithë brenda dhe pikon çatia, soba ndodhet në shi. Na ndihmon dhe fshati, me dru, zjarr. Ka 10 vjet që kam ardhur këtu dhe deri tani përveç premtimeve nuk është bërë gjë tjetër. Po largohen fëmijët nga kushtet e vështira. 

Mësuesja e shkollës në Gorricë