Shkrimtari shqiptar, tregu-leximi, studiuesit: Libri elektronik s’diskutohet nga botuesit!

15 Nëntor 2018, 18:03

Cilat janë hapësirat që autorët shqiptarë kanë për të krijuar? Po lexuesi a është gati për t’u orientuar drejt librit elektronik? Çfarë vendi zë kritika letrare në krijimtarinë e një shkrimtari, po media? Shkrimtarë, studiues dhe përkthyes u bënë bashkë në Panairin e Librit “Tirana 2018” për të diskutuar më tepër rreth situatës, ku gjendet shkrimtari shqiptar, tregu i leximit dhe komunikimi.

Studiuesja e letërsisë mendon se në ditët e sotme duhet që të diskutohet më shumë, sa i përket librit elektronik.

Unë jam e mendimit, që në ditët e sotme duhet që të diskutohet më shumë, sesi të përfshijmë komunikimin digjital në komunikimin e letërsisë. Komunikimi digjital është lënë jashtë vëmendjes, libri elektronik nuk diskutohet shumë në qarqet botuese. Digjitalizimi apo komunikimi nëpërmjet internetit duhet që të bëhet pjesë e komunikimit të letërsisë tek lexuesi, se komunikimi nëpërmjet internetit vendos edhe një komunikim interaktiv me krijuesin. Vendoset një komunikim më i mirë i kritikës, lexuesit edhe autorit.

Genciana Abazi, Studiuese e Letërsisë

Ndërsa, Mimoza Ahmeti ndalet tek hapësira që gjen në tregun e librit një krijues.

Vendi që mediet tradicionale lënë për letërsinë është shumë i paktë, për shkrimtarin kjo është një vështirësi shumë e madhe, që prek edhe momentin emocional të krijimit, që është frymëzimi. Pasi mendon se për shumë vite gjëra me vlerë kanë mbetur pa u botuar, se është një situatë e tillë. Arsye të tjera, veç politizimit të medies janë të shumta, mungesa e kritikës, konteksti i perceptimit, por që kanë gjetur rrugët në forma të ndryshme. Një mangësi shumë e madhe në botën e krijuesit shqiptar, që është qysh në embrionin për të lidhur krijuesin me lexuesin është vet hapësira letrare shqipe që për 50 vite kaloi një ngurosje. Letërsia që shkrimtarët i imponohen sistemit po bien edhe po kërkohet një letërsi që është subjekti. Kritika letrare është shumë e rëndësishme.

Mimoza Ahmeti, Shkrimtare edhe Poete 

Alfred Peza shton se është e rëndësishme që të punohet me kujdes, pa rënë në grackën e fragmentarizmit.

Çështja nëse duhet ta shesim letërsinë online apo në rrjete sociale, le ta shesim në letër, por mos të biem në grackën e fragmentarizmit, ku botuesit shqiptarë sheshin vetëm në Tiranë edhe jo në rrethe. E njëjta gjë ndodh në Prishtinë, Tetovë. Nëse ne prodhojmë një letërsi për 20 mln banorë do të flasim me të tjera terma dhe prioritete. Nëse duam që të fusim digjitalizimin, le të nisim tek digjitalizimi si cikël i mbyllur. S’ka shtëpi botuese më shumë se tre punonjës, drejtori, ai i shtëpisë së ngarkimit edhe nëse ka edhe ndonjë person tjetër. Nëse e suportojmë nëpërmjet online-it mund të kemi edhe shitje të librit.

Alfred Peza, Shkrimtar, Gazetar

Ben Andoni përfundon se letërsia shqipe sot po lexohet shumë pak, për shkak të globalizimit.

Si komunikon letërsia shqipe sot me lexuesin. Më besoni komunikon gjithmonë edhe më pak. Publiku është në ndarjen e madhe të globalizmit, që është krejtësisht indiferent ndaj marrjes së çdo mesazhi që e impenjon atë. I gjithë diskursi është që të vendoset në një rrafsh të barabartë, që të përcaktohen detyrat. Për mendimin tim Ministria e Kulturës është katastrofë për të gjitha gjërat që po ndodhin me librin. Nuk kemi akoma ligjin për librin. Është hequr vetëm taksa me Kosovën. Gati shtëpitë botuese në Shqipëri janë armike me njëra-tjetrën. Nëse do merrte zjarr njëra prej tyre, s’do merrte mundin që të tjerat të afrohen për shuarjen e tij.

Ben Andoni, Kritikë Arti, Përkthyes

Të gjendur në këtë situatë, shkrimtarët shqiptarë mendojnë se botuesit duhet që të mos reshtin së kërkuari format e duhura për të qenë pranë lexuesit.