Shtëpitë dhe hotelet me qira gjatë sezonit të verës, Tatimet-qytetarëve: Paguani taksën 15%

13 Qershor 2018, 17:50

Operatorët turistik në vend përfshi ata të resorteve, hoteleve dhe banesave që jepen me qira për sezonin turistik duhet të deklarojnë këtë aktivitet tregtar pranë tatimeve dhe të paguajnë detyrimin prej 15%. Është ky njoftimi sensibilizues i Tatimeve bërë këtë të mërkurë që iu kujton këtyre operatorëve se duhet të respektojnë ligjin.

“Për një ecuri sa më pozitive të sezonit turistik, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër edhe të masave që po zbaton, dëshiron t’ju bëjë me dije të gjithë atyre individëve, të cilët zotërojnë asetet të tilla, si shtëpi apo apartamente dhe i ofrojnë me qira, të shfrytëzojnë të drejtën për të përfituar të ardhura të ligjshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ju kujton, se në zbatim të ligjit nr.8438 datë 28.121998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” neni 8 dhe 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15% - sqarojnë tatimet në thirrjen e tyre drejtuar personave të paregjistruar. Sipas ligjit në fuqi, personat që fitojnë të ardhura nga qiratë duhet të paraqiten vetë pranë drejtorive rajonale të tatimeve për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore.