Sonte në 'Dosja K'/ I preu Bursën Enverit në Francë, si u përball Mirash Ivanaj me hakmarrjen e diktatorit

Historia e rrallë e ministrit të hekurt Mirash Ivanaj, që sfidoi Ahmet Zogun për reformën arsimore e që i preu bursën Enver Hoxhës kur ai ai ishte në Francë, e që më pas u përball me hakmarrjen e diktatorit… zbulohet sonte në emisionin “Dosja K”. Dokumentari i radhës “Mirash Ivanaj përballë hakmarrjes së diktatorit”  zbulon shumë anë të panjohura të këtij intelektuali të rrallë, që gjithë jetën ia kushtoi edukimit dhe përparimit të atdheut të tij.

Si qe jeta e Mirash Ivanajt nga rinia e hershme, studimet në Ropër për letërsi filozofi dhe jurizprudencë, shpallja si një nga studentët më të mirë të "La Sapienza", kthimi në atdhe për të rimëkëmbur arsimin shqiptar, shkëlqimi i gjimnazit të Shkodrës, organizimi prej tij i të parës maturë shtetërore, jeta në Tiranë në vitet ’20-30 dhe propozimi i Ahmet Zogut për ta bërë Ministër të Arsimit dhe si e realizoi ai reformën më të rëndësishme që është ndërmarrë në arsimin Shqiptar.

Dokumentari trajton më tej sfidat e Mirash Ivanajt pas Pushtimit të shqipërisë nga Italia Fashiste, kthimin në atdhe pas mbarimit të luftës dhe përballjen e paimagjinueshme me hakmarrjen e diktatorit Enver Hoxha, arrestimin, vitet e burgut dhe vdekjen misterioze në spitalin e burgut në Tiranë, deri tek akti i paprecedentë i dhunimit të trupit të tij pas vdekjes duke e përdorur për eksperimente...

Historia e këtij kolosi të dijes, përmbyllet me dëshmi të rralla për vitet e vështira nën regjimin komunist dhe përpjekjet pas shumë vitesh për të ndriçuar figurën e tij dhe kontributet e jashtëzakonshme. Dokumentari “Mirash Ivanaj përballë hakmarrjes së diktatorit” i konceptuar në dy pjesë do të transmetohet sonte në mbrëmje dhe të martën e ardhme në orën 20:30 në Report Tv.