Sulmi me armë gjatë paradës ushtarake në Iran, 24 të vrarë, 53 të plagosur

22 Shtator 2018, 18:56

Bilanci i sulmit me armë gjatë paradës ushtareke në Iran flet për 24 persona të vrarë dhe 53 të tjerë të plagosur. Sulmuesit kishin në shënjestër paradën ushtarake në Ahvaz, në jugperëndim të Iranit, gjatë orëve të paradites së kësaj të shtune. 

“Numri i martirëve të vrarë në sulmin terrorist arrin në 24, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë që ndodheshin tek spektatorët, si dhe ky bilanc mund të përkeqësohet sepse të plagosurit janë në një gjendje kritike”, shkruan agjencia zyrtare IRNA.Ky atentat, që nuk është marrë ende përsipër nga ndonjë grupim, ndodhi në një çast që vendi kujton Ditën Kombëtare të Forcave të Armatosura iraniane që përkujton çdo 22 shtator fillimin nga Bagdadi të luftëns Iran-Irak (1980-1988).

Sulmi që ndodhi rreth orës 09:00 (05:30 GMT) sipas agjencisë gjysmëzyrtare ISNA ndodhi në Ahvaz, kryeqyteti i provincës Khuzestan, i populluar kryesisht nga Arabë. Sulmuesit qëlluan nga një park afër paradës, dhe kishin veshur uniformë ushtarake, raportojnë mediat. Televizioni shtetëror thotë se militantët islamikë qëndrojnë pas sulmit.