Sulmohet me bojë rajoni i policisë, arrestohet deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci dhe 6 aktivistë të VV-së

17 Gusht 2018, 13:56

Para stacionit kryesor të Policisë së Kosovës, dhjetëra aktivistë të VV-së kanë hedhur bojë me ngjyrë të kuqe në shenjë proteste.

Pas aksionit policia ka arrestuar disa prej tyre, përfshi këtu edhe deputeten e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci. Aksioni është organizuar për shkak të asaj që aktivistët e quajnë: “mos reagim të Policisë për dhunën ndaj grave”

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se pas aksionit të sotëm të aktivistëve të saj,  janë arrestuar edhe 6 aktivistë të tjerë.

“Para pak çastesh Policia e Kosovës arrestoi 7 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndër ta dhe një deputete të Kuvendit të Kosovës, teksa po zhvillonin aksion simbolik pranë Stacionit të Policisë në lidhje me neglizhencën e institucioneve të Republikës së Kosovës për dhunën ndaj grave”, thuhet në njoftim.

Të arrestuarit e tjerë veç deputetes sipas VV-së janë: Rinë Zhitia, Diellëz Arifi, Elona Kurti, Çlirim Gërbeshi, Atdhe Arifi, Patrik Domi.