'Tahiri', PS paralajmëron Berishën,Ndreu:Do japë llogari

19 Mars 2018, 19:42

Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, ka paralajmëruar ish-kryeministrin Sali Berisha se do të jetë edhe ai objekt hetimi në Komisionin Parlamentar ‘Tahiri’. Në studion e Report Tv, Ndreu zbuloi detaje nga ky komision, i cili është kërkuar nga opozita dhe u mblodh për herë të parë ditën e sotme, duke thënë se në fokus të tij do të jetë fenomeni i kanabisit.

Sipas tij, mazhoranca ka pranuar që komisioni të përfshijë dhe çështjen ‘Tahiri’, por thelbi i tij do të jetë më i gjerë, duke marrë me themele fenomenin e kanabisit, që në nisje të tij. Deputeti i PS solli në vëmendje ish-kryeministrin Sali Berisha, kur tha se ai vendosi politikisht të mos ndërhyhej në asnjë rrënjë kanabisi në Lazarat.

“Ne do ta marrim fenomenin që kur ka lindur, edhe rastet kur janë implikuar zyrtarë të policisë. Do hetojmë fenomenin, që ka një datë kur fillon, kur shfaqet. Mazhoranca ka pranuar të përfshihet dhe çështja Tahiri, por në qëndrime të ndryshme të këtij fenomeni edhe ne kemi të drejtë të evidentojmë kushtet dhe rrethanat që kryeministri i asaj kohe ka vendosur politikisht të mos ndërhyhet qoftë dhe në një rrënjë kanabis. Do të hedhim dritë edhe mbi këto fenomene”, deklaroi Ndreu.