Tërhiqet Meta, dekreton Lleshajn Ministër të Brendshëm: Problem ishte statusi i ushtarakut

16 Nëntor 2018, 22:34

TIRANE-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar në limitin e kohës propozimin e kryeministrit Edi Rama për Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshajn. Kjo ishte hera e dytë që emri i Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi. Sonte në mesnatë ishte afati i fundit që kreu i shtetit duhet të shprehej për propozimin, pasi plotësoheshin 7 ditët që kishte në dispozicion, bazuar në Kushtetutë. Meta zgjodhi që firmën ta zyrtarizonte rreth orës 20:45 minuta të mbrëmjes së sotme, 3 orë para përfundimit të afatit. 

Pas dekretit, Presidenti Ilir Meta duke shpjeguar se përse e refuzoi herën e parë dhe firmosi herën e dytë propozimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas Kreut të Shtetit, problemi ishte statusi për gjeneralin, ndërsa shtoi se kërkesa nga ministria e Mbrojtjes që propozonte lirimin nga detyra të Lleshajt si ushtarak i ka shkuar mbrëmë. Ai shtoi se nëse kjo gjë do të kishte ndodhur më parë nuk do të ishte refuzuar dekreti i parë. Gjithashtu Meta, mohoi në emisionin ‘Zonë e Lirë’ që dekreti për Lleshajn të lidhej me emrin e Vitore Tushajt që ka propozuar në postin e kreut të KLSH dhe theksoi se nga ana e tij do të ketë “Zero përplasje me Ramën”.

Dje me këtë kohë kam gjetur shkresën zyrtare të Ministres së Mbrojtjes e cila duhet në përputhje, të bënte propozimin për lirimin nga detyra si aktiv të gjeneralit. Kjo është arsye Kushtetuese. Nëse do ma kishin sjellë që herën e parë do e kisha bërë. Arsyeja ime është kjo dhe nuk është e vogël, por Kushtetuese. Dekreti për Lleshajn është emërimi, ndërsa për Vitore Tushajn është propozimi për parlamentin. Është e qartë, që janë të ndarë pushteti civil nga ai ushtarak.