Tiranë/ Nis java e gjuhës dhe kulturës italiane, në 'Vizione kufijsh' ekspozohen 42 tablo të artistëve që studiuan në Itali

17 Tetor 2018, 18:40

Java e gjuhës italiane në botë, në këtë edicion të 18-të fokusohet mbi temën “Gjuha italiane dhe rrjeti, rrjetet për gjuhën italiane”. Arsyeja, që është zgjedhur kjo temë aktuale, është për të hulumtuar lidhjet dhe ndikimet, që ekzistojnë mes gjuhës italiane, teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit social. Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, në Tiranë në një prezantim për mediet u ndal tek risitë e këtij edicioni. 

Java e gjuhës italiane në botë ka mbërritur në edicionin e 18-të. Në të gjithë botën në rreth 200 përfaqësi diplomatike, konsullore edhe institute italiane të kulturës që përkujtojnë javën e kulturës dhe gjuhës italiane. Për këtë vit tema është “Rrjeti”, i parë në një koncept mjaft të gjerë. Shqipëria paraqet një veçori që nuk haset rëndom në vende të tjera, që të ketë përfaqësi kaq të madhe, që e njohin edhe e flasin gjuhën italiane, prandaj edhe nga ana jonë duhet që të ketë një angazhim të madh për gjuhën italiane në Shqipëri. Në Shqipëri njihet gjerësisht në moshën mbi 35 vjeç edhe zë vendin e dytë, si gjuhë e huaj.

Alberto Cutillo, ambasadori i Italisë

 

Në kuadër të Javës së gjuhës italianë në Tiranë, është çelur në Residencën e Italisë, ekspozita "Vizion kufijsh. Artistët shqiptarë në Akademitë Italiane në gjysmën e parë të shekullit të XX", e kuruar nga Artan Shabani.

Kryesisht këto vepra prezantohen në teknikën e vajit, pjesa më e madhe, por ka dhe tempera etj. Janë që nga Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Guri Madhi, Hasan Reçi, Fadil Pëllumbit, Foto Stamos etj.

Artan Shabani, kurator i ekspozitës

 

Por, çfarë i bën bashkë këta artistë?

Gjatë viteve ’30-40 kanë të përbashkët se kanë studiuar në akademitë italiane, ndryshe nga artistët që kanë studiuar në vendet e lindjes. Një pjesë e tyre krijuan shkollën e vizatimit dhe liceun e Arteve.

Artan Shabani, kurator i ekspozitës “Vizion kufijsh”

 

Piktorët kanë dëshmuar me artin e tyre më së miri integrimin e artistëve shqiptarë në Itali. Pas përfundimit të studimeve, pjesa më e madhe e këtyre artistëve nuk pati më mundësi që ta vizitonte Italinë.