Tiranë-Elbasan me pagesë, hua edhe 16 mln USD për përfundimin, Braçe: Të përshpejtohen hetimet

18 Shtator 2018, 18:35

Buxheti i shtetit nuk mbulon dot shpenzimet që kërkon mirëmbajtja e rrugëve, ndaj ministri për Infrastrukturën, Damian Gjiknuri ka paralajmëruar pagesë nga qytetarët. Në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua marrja e një huaje tjetër për autostradën Tiranë-Elbasan, Gjiknuri paralajmëroi tarifë për kalimtarët e kësaj rruge.

Segmenti rrugor i autostradës Tiranë-Elbasan nga Sauku deri në hyrje të tunelit do të marrë edhe 16 milionë dollarë. Ministri Gjiknuri deklaroi se ndryshe nga sa ishte planifikuar në fillim, kjo rrugë ka arritur një kosto prej 450 milionë dollarëve, nga 312 të planifikuara në fillim.

Për tejkalimin e shpenzimeve, kreu i komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe i kërkoi organeve të drejtësisë përshpejtimin e hetimeve për abuzimet. Pas diskutimeve, komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen për marrjen e huasë, ndërsa Gjiknuri nuk dha një afat konkretë për zgjidhen e problematikave të autostradës nga tuneli deri në Elbasan.