Trafikuan 1. 5 ton kanabis dënohet me 1 shekull burg banda shqiptaro-greke

Janë dënuar anëtarët e grupit që u kapën gjatë operacionit antidrogë zhvilluar në 7 prill të 2017 nga policia e tre shteteve, Itali, Greqi dhe Shqipëri për goditjen e një rrjeti trafiku kanabisi nga Shqipëria e Greqia drejt Italisë. Për këtë rast trafiku të një ngarkese 1449 kg kanabis, me vlerë afro 10 milionë euro, u arrestuan 9 persona mes tyre 5 shqiptarë dhe 4 shtetas grek. 

Për 9 të arrestuarit, drejtësia greke ka dhënë sot vendimin e formës së prerë duke i dënuar me afro një shekull burg. 

Sipas mediave greke, për dy shqiptarë, të cilësuar baronë të trafikut të drogës, por që nuk jepen emrat, dënohen me 23 dhe 24 vjet burgim dhe me gjobë respektivisht 100.000 euro dhe 250,000 euro. Për tre shqiptarë të tjerë që drejtonin skafet duke dërguar hashashin nga Shqipëria në Greqi u dënuan njëri me 14 vite burg dhe dy të tjerët me nga 13 vite burg.

Pjesë e organizatës ishin edhe një avokat i njohur në Pire, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite burg si dhe një shumë prej 70,000 eurosh. Bashkë me ta u dënua me 13 vjet burg dhe një gjobë prej 60,000 euro edhe një biznesmen grek si dhe një tjetër shtetas grek, që merrej me trasnportin e drogës u dënua me 13 vite burg dhe 60 mijë euro gjobë. Për shkak të rrezikshmërisë së këtij grupi, operacioni u zhvillua me helikopterë dhe snajpera, por nga të arrestuarit nuk pati rezistencë.