Dy viktima në plazhe/ Në Velipojë i riu shpëtoi të fejuarën por u mbyt, rasti i dytë në Gjirin e Lalzit

22 Korrik 2018, 17:18 | Përditesimi i fundit: 2018-07-22 21:24:51

Dy persona kanë humbur jetën në plazhet shqiptare ditën e sotme në Velipojë dhe në Gjirin e Lalzit duke e çuar në 11 numrin e viktimave këtë sezon turistik. Në Velipojë humbi jetën Ervid Palaj nga fshati Dajç i Shkodrës, i cili ishte duke pushuar bashkë me të fejuarën.  Report Tv ka mësuar se ka qenë kjo e fundit e cila është futur në ujë dhe rrezikonte të mbytej nga dallgët të forta. Palaj ka nxituar për t'i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët dhe detin e trazuar ai është mbytur vetë. Edhe pse është tentuar t'i jepet ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, 30-vjeçari nuk mundur të mbijetojë. Mësohet se partnerja është shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fati është treguar i pamëshirshëm për të fejuarin e saj, Ervid Palaj i cili bëhet kështu viktima e tretë që humb jetën në plazhin e Velipojës.
Ndërsa pasditen e sotme është shënuar edhe viktima e dytë. Ai është Fatjon Alixheja. 18-vjeçari u nxor nga uji në gjendje të rëndë rreth orës 17:00 nga pushuesit në Gjirin e Lalzit dhe u dërgua me shpejtësi në spital, por nuk mundi që të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. I riu nga Tirana kishte shkuar me familjen për të kaluar fundjavën në Gjirin e Lalzit, por pasdite është parë nga pushuesit mbi ujë me shenja jete, por në gjendje të rëndë.  Pushuesit e nxorën nga uji dhe lajmëruan ambulancën me shpejtësi duke e dërguar në spital, por 18-vjeçari humbi jetën, pasi parametrat jetësor ishin shumë të dobët. Dy viktimat e sotme e çuan në 11 numrin e viktimave në të gjitha plazhet e vendit këtë sezon.