U kap me armë teksa po shkonte drejt Bularatit, Gjykata e Sarandës jep masën për policin grek

jykata e Sarandës ka vendosur masën “detyrim paraqitjeje” për policin grek Marios Gogolos, i cili u ndalua ditën e djeshme me armë në makinë teksa po shoqëronte në Bularat deputetin grek, Nikos Nikolopulos.  

Makina e tyre është ndaluar teksa po shkonte drejt Bularatit për të marrë pjesë në ceremoninë e të 40-ave të Kaçifas. Gjatë kontrollit, policit i është gjetur një pistoletë me 6 fishekë e padeklaruar në pikën kufitare. Para Gjykatës, ai deklaroi se nuk është pyetur në kufi nëse kishte armë me vete, ndërsa ka sqaruar se e kishte marrë padashur atë, gjatë kohës që mori deputetin në banesë.

Gogolos dispononte leje për mbajtjen e kësaj arme në shtetin fqinj dhe në kohën e ndalimit ka qenë i shoqëruar nga një deputet grek, të dhëna këto që sipas vete prokurorisë, tregojnë se 33-vjeçari nuk kishte rrezikshmëri të lartë.

Gogolos ka rrëfyer para hetuesve se ishte punonjës policie në Igumenicë dhe në shërbim të deputetit grek Vasiljos Jojakas. Ky i fundit i ka kërkuar Gogolasit të shkonin në Shqipëri sëbashku me një mikun e tij, pikerisht me deputetin Nikolopulos. Ndërkaq, lidhur me shoqërimin në polici, deputeti i Partisë Demokristiane në Greqi, Nikos Nikolopoulos deklaroi në një intervistë për mediat greke se policia shqiptare nuk e mori parasysh pasaportën e tij diplomatike.

“Kam qenë në Komisariatin e Sarandës për pesë orë të tëra në mes të natës. Për arsye të pakuptueshme dhe injoruar pasaportën time diplomatike, ata më zvarritën në Komisariatin e policisë dhe u sollën sikur po përballeshin me një kriminel. Të njëjtin fat mos të them më keq kishte edhe djali që më shoqëronte. Natyrisht, pengesat e policisë fqinje nuk më tronditën dhe nuk më shpërqëndruan nga destinacioni im. Shkova në ceremoninë e të 40-ave për Kaçifën”, ka deklaruar ai për mediat greke.