UEFA zbulon mashtrimet e FSHF-së

25 Prill 2018, 16:32

FSHF ka abuzuar me licencat që u ka dhënë klubeve për pjesëmarrjen në kompeticionet ndërkombëtare, duke lejuar skuadra, si në rastin e Tiranës, që të luajnë në Europë edhe kur kanë borxhe ndaj palëve të treta.

UEFA ka zbuluar mashtrimet në dokumentacion pas një hetimi të kryer për sezonin 2016-2017, duke i hequr FSHF-së të drejtën e licencimit të klubeve për një edicion, si dhe duke i ndaluar fonde që ajo duhej të përfitonte nga projekti Hattrick.

Nga institucioni i futbollit gjithçka ka kaluar në heshtje të plotë, por vetë UEFA ka bërë publike gjithçka në raportin e saj rreth punës që kanë kryer organet e kontrollit të UEFA-s në vitet 2015-2017.

Organi i Kontrollit Financiar të Klubeve në UEFA ka audituar Shqipërinë dhe ka zbuluar shkelje të rënda nga personat e caktuar si licencues nga FSHF.