Veliaj e nis ditën me një kafe me banorët e ‘Astiri’: E rëndësishme gjetja e konsensusit

6 Dhjetor 2018, 14:55

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka nisur ditën me një kafe me banorët e zonës së Astirit, të cilët kanë filluar tashmë që të lirojnë vetë ndertesat e tyre pa leje dhe t’i hapin rrugë projektit të zhvillimit të Unazës së Madhe.

“Ishte një kënaqësi e veçantë që takoja të gjithë miqtë këtu në “Astir” e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë “Skrapari”. Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, sot me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ajo që kemi një konsensus sot, siç patëm me miqtë nga Tropoja, Kukësi e Dibra, ashtu edhe me tepelenasit, skraparllinjtë  e korçarët është që ky projekt duhet të vijojë dhe ne duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës”, tha Veliaj.

Teksa falenderoi banorët që janë distancuar nga politika dhe kanë filluar që të zbrazin vullnetarisht objektet që janë në gjurmën e Unazës së Madhe, Veliaj theksoi se ky projekt nuk do të ndalet.