Veliaj shpërndan libra falas për katër fëmijët e familjes Hoxha në Ndroq

12 Shtator 2018, 15:40

Urimin për fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët e familjes Hoxha në Ndroq e morën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dhuroi edhe librat falas. Nisma e qeverisë për librat shkollorë falas për fëmijët është e para e këtij lloji dhe është shtrirë në të gjitha shkollat. Katër fëmijëve të familjes së Agron Hoxhës në fshatin Ndroq, Veliaj u dhuroi pako me librat, çantat e shkollës me mjetet didaktike, pako ushqimore dhe veshmbathje.

“Jam shumë i lumtur për faktin se kryeministri dhe ministrja e Arsimit vendosën që, për herë të parë të fillojë një risi në Shqipëri, që t’ju japë librat falas”

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Veliaj nënvizoi se përmes kësaj nisme synohet që t’u vihet në ndihmë të gjitha familjeve.

“Në fillim pyesja, a mund të ndryshojnë diçka librat falas!? Por, kur mendon se një pako me libra kushton 20 mijë lekë, kur ke 4 fëmijë, çdo gjë që mund të vijë si ndihmë është shumë e vlerësuar. Ndaj, doja të vija vetë dhe zgjodhëm familjen tuaj sepse ju ka bekuar Zoti, me katër vajza, me çfarëdo lloj ndihme që qeveria mund të japë, që gocat jo vetëm të rriten, por të dalin shkëlqyer me mësime, të kenë libra, fletore, të kenë mjete. Më vjen mirë që edhe kolegët e bashkisë iu bashkuan ndihmës me veshmbathje e nevoja të tjera, që gocat të shkojnë me shumë gëzim në ditën e parë të shkollës”

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Këtë vit shkollor fëmijët e kryeqytetit do të studiojnë në shkolla me infrastrukturë shumë herë më të mirë, ndërkohë që vijon puna edhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja me qëllim eliminimin përfundimtar të mësimit me dy turne.