Vettingu i zbulon manovrat/ Si përfitoi kredi të butë gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla

18 Korrik 2018, 16:49

Radha për të kaluar në Vetting është e anëtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Ervin Metalla, anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Trupa e KPK për procesin e rivlerësimit të gjyqtarit Metalla drejtohet nga Etleda Çiftja, me anëtare Valbona Sanxhaktari dhe relatore Xhensila Pine.

Relatorja Pine tha se hetimi është shtrire mbi kriterin e pasurisë çka rezultoi se sipas ILDKPKI nuk ka probleme me pasurinë e Metallës. KPK ka kryer hetim administrativ për kriterin e pasurisë. Hetimit iu nënshtruan pasuritë si vijon: apartament banimi 96 m katrorë me garazh blerë në Tiranë në vitin 2007 me burim kredie që është pasuar me pas me ndryshim te kontratës së kredisë duke ia kaluar vëllait.

Sipas KPK Metalla ka vendosur një çmim prej 75 mije euro të apartamentit që të përfitonte një mbulim të plotë të vlerës së apartamentit se banka mund të financonte vetëm 70 përqind të vlerës. Më pas është ndryshuar kontrata e kredisë dhe ia ka kaluar vëllait shtëpinë dhe kredinë që të merrte kredi tjetër lehtësuese si i pastrehë.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës ka pranuar që shtëpinë e ka kaluar në emër të vëllait por që përdorej nga vetë subjekti dhe ky kalim, theksoi KPK, është bërë që Ervin Metalla të përfitonte kredi me interes të butë. 

Gjyqtari kërkoi rikonfirmimin në detyrë, ndërkohë që KPK pritet të vendosë në datën 23 korrik.