Vettingu në Politikë, PS: Luli do që nusen, kunatin, vëllanë apo fëmijët e Saliut t’i lërë jashtë

18 Shtator 2018, 20:54

TIRANE-Partia Socialiste ka reaguar pas insistimit të opozitës për vettingun në politikë. Deputetja e PS, Klotilda Bushka reagoi sot pas deklaratave të Bashës për nismën e re ligjore që ka depozituar në Kuvend.  Kreu demokrat theksoi se Vettingu në politikë nuk duhet të lërë asnjë shteg për politikanët e lidhur me krimin dhe pasuri të pajustifikuara që t'i shpëtojnë sitës.

Por, Klotilda Bushka thotë se Partia Socialiste nuk mund të pranojë asnjë propozim që synon të krijojë një strukturë paralele për të anashkaluar strukturat e ngritura posaçërisht për këtë punë, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit apo Prokuroria e Posaçme. Gjithashtu, ajo shprehet se ‘Nëse Venecia thotë po, në rregull, por në asnjë rast nuk duhet që kjo nismë të minojë reformën në drejtësi, BKH dhe SPAK-un’, por Basha e cilësoi si panevojshme një lëvizje të tillë.

Deputetja e PS e mbyll reagimin duke theksuar se ‘Nëse duhet veting, vetingu duhet të jetë për politikanët dhe familjarët, jo siç do Luli, që nusen, kunatin, vllain apo fëmijët e Saliut t’i lërë jashtë. Një veting që merret vetëm me thashetheme, pa dënuar, pa hetuar dhe as burgosur nuk i sjell asnjë të mirë qytetarëve shqiptarë’.

Në datë 7 shtator, Basha depozitoi në Kuvend nismën për vettingun në politikë, por që nuk përfshin familjarët. Rama ka deklaruar se drafti do i dërgohet Komisionit të Venecias, por Basha sot doli kundër duke thënë se ‘Shqiptarët nuk kanë kohë të presin. Komisioni i Venecias është shprehur në ligjin për gjyqtarët’.