Vettingu, shkarkohet prokurori i 'famshëm' Ramadan Troci, hetoi Fullanin

15 Nëntor 2018, 12:52 | Përditesimi i fundit: 2018-11-15 16:45:14

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, pasi nuk justifikon pasurinë.

Vendimi është marrë nga trupa që drejtohej nga Pamela Qirko, dhe me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Suela Zhegun. Troci ka qenë i pranishëm së bashku me avokatin ashtu si në seancën e parë dëgjimore.

Prokurori ka rezultuar i pastër në vlerësimin për figurën, por ka ngecur në rrjetë për pasurinë. Nga analiza financiare është konstatuar se Troci ka një mungesë financiare përgjatë viteve 2004, 2005, 2006, 2007, 2012 dhe 2013.

Prokurori Troci ka bërë një deklarim të pasaktë të pasurisë dhe e ka fshehur një banesë që ka në Paskuqan. Sa i përket aspektit profesional, për Trocin ka pasur 10 denoncime dhe janë hetuar 8 dosje nga viti 2006 deri në vitin 2011, që kishin si pasojë plagosjen apo vdekjen në minierat e Bulqizës.

Prokurori Troci ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ramadan Troci është i njohur për firmosjen e vendimit për arrestimin e ish-Guvernatorit Ardian Fullani si dhe kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Në përfundim të seancës ku u dha vendimi, Troci nuk pranoi që të bënte asnjë koment “Kam zgjedhur një avokat’ tha ai. Ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor, Ardian Leka konfirmoi se vendimi do të apelohet në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.