Vijon puna për 'Unazën e Madhe', IMT prish disa ndërtesa pa leje në zonën e 'Astirit'

9 Dhjetor 2018, 17:05

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të vijimit të punës për projektin “Unaza e Madhe”, ka prishur këtë të diel disa njësi tregtare e lavazhe pa leje në zonën e “Astirit”. Njësitë tregtare dhe lavazhet pa leje që janë prishur nga IMT, gjendeshin në lotin dy dhe tre.

Siç shihet edhe nga pamjet e aksionit të ditës së sotme, IMT dhe ndërmarrjet bashkiake kanë gjetur bashkëpunimin e plotë të poseduesve të këtyre objekteve, të cilët në mënyrë vullnetare kanë bërë zhvendosjen e materialeve dhe boshatisjen e ndërtesave për t’i hapur rrugë ndërhyrjes së makinerive të rënda.

Ndërkohë që paralelisht me këtë proces, të tjerë banorë të zonës së “Astirit” kanë vijuar me largimin vullnetar të orendive dhe materialeve elektroshtëpiake nga ndërtesat e tyre për t’i hapur rrugë procesit të prishjeve.